ISIS merr përsipër ngjarjen, por Moska akuzon Kievin
Ky filmim tregon momentet e arrestimit kur agjentët e zbulimit rus kapin njërin prej 4 autorëve të arrestuar të sulmit terrorist të mbrëmjes së të premtes, në sallën e koncerteve “Krokus” Krasno-gorsk pranë Moskës, ku sipas të dhënave më të fundit rezultojnë 143 të vrarë dhe mbi 140 të plagosur.
Agjentët e shërbimit rus të zbulimit FSB i kapën ata në rajonin e Brianskut, teksa përpiqeshin të kalonin kufirin me Ukrainën. Ky fakt ka shtuar dyshimet në Moskë, se prapa aktit terrorist të së premtes fshihet Kievi, pavarësisht se ngjarjen e mori përsipër Shteti Islamik.
Në këtë video, njëri nga të arrestuarit pranon se ka qëlluar në sallë, por shfaqet konfuz dhe thotë se nuk di se kush e ka porositur sulmin. Rrëfen se kishte hyrë nga Turqia, urdhrat i ka marrë përmes rrjeteve sociale nga persona që nuk i njeh të cilët i kishin premtuar gjysmë milioni Rubla si shpërbim.
Edhe pse asnjëri prej tyre nuk përmend asnjë lidhje me Ukrainën, ashtu si dhe Kievi mohoi kategorikisht përfshirjen në këtë akt, Presidenti rus Vlaidmir Putin në një mesazh televiziv e lidhi rastin me Ukrainën.
“Ata u përpoqën të fshihen duke ikur drejt Ukrainës. Të dhënat paraprake tregojnë se atyre u ishte hapur një rrugë e lirë kalimi drejt Ukrainës. Kushdo që ta ketë bërë, do të ndëshkohet ashpër”.
Në total, përfshirë 4 autorët e dyshuar, janë arrestuar 11 persona për lidhje me ngjarjen. Pasi sulmuan me armë të pranishmit, terroristët i vunë flakën ndërtesës, ndërsa ekipet e emergjencës thonë se në rrënoja mund të ketë akoma trupa viktimash që mund të rëndojnë bilancin.
Tv Klan