Kryetari i asamblesë kombëtare republikane, Sabri Godo, ka zhvilluar një takim me banorë të njësisë numër 6 në Tiranë.

Në fjalën e tij zoti Godo është ndalur në zgjedhjet e 28 Qershorit duke i quajtur ato si shumë të rëndësishme.

Duke theksuar se qeveria ka marrë të gjitha masat që përpara 15 Qershorit qytetarët të pajisen me kartat e identitetit, Godo tha se opozita po e pengon këtë proces.

Sabri Godo: “Partia Republikane ku bëj pjesë unë kam bindjen se ka dhënë një kontribut të mirë në politikën në Shqipëri, por ndonjëherë kur të shkruhet historia mund të dalë më mirë kjo. Ajo që jemi përpjekur të bëjmë neve është që të evitohen grindjet dhe konfliktet shoqërore, të mund të merremi vesh me njëri-tjetrin edhe them që kemi dhënë një kontribut të mirë për zhvillimin e demokracisë dhe për të mbrojtur parimet tona. Neve do të vazhdojmë të japim kontributin tonë që kjo mazhorancë të fitojë”.

Kreu i asamblesë kombëtare republikane është ndalur edhe tek reformat e ndërmarra nga qeveria në këto katër vite, ku shprehu bindjen se si rrjedhojë e tyre, kjo mazhorancë do të ketë një mandat të dytë qeverisës.

Gjatë këtij takimi janë bërë dhe disa anëtarësime të reja në Partinë Republikane./tvklan.al