Qeveria pritet të marrë vendim për kalimin nën administrimin e komunave të tokave të papërpunuara.
Pronarit të tokës do t’i jepet e dhjeta si shpërblim pas vënies së tokës së tij në përdorim. Për presidentin e asamblesë kombëtare të republikanëve, Sabri Godo, një vendimmarrje e tillë tingëllon më shumë si një ide e mirë, por pa mundësi praktike funksionimi.
Sabri Godo: “Mua më duket disi e paqartë kjo që të lihet në dorën e komunave dhe komunat pastaj të kompensojnë me 10%. Ku do ta gjejnë këtë 10%? Nga marrëdhëniet me kontraktonin e ri? Me atë që do t’i japin tokën për ta punuar? Si ide mund të jetë e mirë, por nuk më duket se mund të gjejë zbatim praktik.”
Godo thotë se toka e papërpunuar është një problem i madh dhe reagimi qeveritar në këtë funksion vjen në kohë, por sipas tij vëmendja duhet të përqendrohet tek arsyet që garantojnë zhvillimin e bujqësisë.
Sabri Godo: “Qeveria ka marrë këtë nismë në kohë, por unë them se duhet të shtrihet dhe të konceptohet më tepër si një reformë e thellë që duhet bërë në bujqësi dhe brenda kësaj është ky problem që shqetëson qeverinë me të drejtë, që kanë marrë me ligjin 7501 tokën nga shteti le të themi edhe e lënë pa punuar. Pse ndodh që të kemi një pjesë të madhe të tokës të papunuar dhe pse ndodh që atje ku punohet prodhimi shkon dëm? Fjala vjen devollinjtë hedhin një pjesë të qepës në lumë dhe qepën atëherë nuk ua merr njeri me 4 lekë, kurse shitet 40 lekë në Tiranë, dmth, duhet, është shumë i gjerë dhe kompleks problemi. E njëjta gjë ngjan me patatet në Dibër e kështu me radhë. Dmth kemi një lloj anomalie. Këto tani si mënjanohen? Si vepron Evropa në trajtimin e këtij problemi në tërësi?”
Shifrat zyrtare tregojnë se në jug të vendit hektarë të tërë toke janë të papunuara. Propozimin e këtij vendimi pak ditë më parë në mbledhje qeverie kryeministri Sali Berisha e lidhi me sasinë e vogël të tokës bujqësore që disponon vendi, gjë që bie ndesh me nevojën e shtetasve shqiptare për të përfituar nga ky sektor jetik për ekonominë e vendit siç është bujqësia./tvklan.al