Historia 55-vjeçare e filmit artistik shqiptar, nuk mund të kuptohet pa ata që me pasionin dhe dashurinë për kamerën përcollën artin e kinemasë.

Njëri prej operatorëve të njohur, është Saim Kokona, drejtori i fotografisë në më shumë se 30 filma të prodhuar nga ish-shtëpia shqiptare e filmit, kinostudio “Shqipëria e Re”.

Pas kaq vitesh pune, ky operator i heshtur, që më shumë se me fjalë ka vepruar duke lënë gjurmë filmike, mbushi plot 76 vjeç mes miqve të tij, një brezi të tërë kineastësh që i dhanë jetë filmit artistik shqiptar.

Saim Kokona: “Unë jam shumë i gëzuar, i lumtur që arrita këtë ditë që të festoj ditëlindjen time. Ka qenë një punë dhe një jetë e lumtur sepse un kam përfaqësuar vendin tim, popullin tim në të gjitha aspektet.”

Pas një numri kinoditarësh si ish-student i Universitetit të Pragës, së bashku me të tjerë, Kokona nisi xhirimin e filmave me të parin “Ngadhënjim mbi vdekjen” në krah të regjisorëve Piro Milkani e Gezim Erebara, me të cilin u nderuan me Çmimin e Republikës.

Këndej u shënuan më pas bashkëpunime me regjisorët e njohur, Viktor Gjika, Xhanfise Keko, Dhimiter Anagnosti e mjaft të tjerë.

Me kamerë në dorë, nga njëri shesh në tjetrin, sot mbajnë vulën e Saim Kokonës si drejtor fotografie, filma të tillë si Beni Ecën Vetë, me të cilin fitoi kupën e Festivalit të Parë Shqiptar dhe atë të festivalit ndërkombëtar për fëmijë në Xhifoni; Taulanti kërkon një motër, Pylli i Lirisë, Njeriu i mirëqë i dhuroi kupën e festivalit të pestë në 1983-in.

Edhe pse larg jetës së bujshme të kinemasë sot, emri i artistit të merituar Saim Kokona është si një busull që u tregon rrugën drejt pasionit të kinemasë brezit të ri./tvklan.al