Ish-ministri Saimir Tahiri, u pyet për mbi 1 orë nga hetues të Prokurorisë së Posaçme për dosjen e riçelur të “21 Janarit”.
Ai u paraqit në orën 09:30 sipas fletëthirrjes së SPAK si një ish-eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste në atë kohë, ku dha shpjegime për organizimin e protestës.
Në përfundim për mediat tha se ishte pyetur si protestues dhe kallëzues në këtë çështje.
Saimir Tahiri: U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 Janar dhe për kallëzimin që kam bërë në 2015. Në 21 Janar kam pasur rolin e protestuesit, të gjithë kemi qenë protestues. Pjesët e tjera i takojnë hetimit. Nuk dua të vazhdoj më tej.
Tahiri është ish-zyrtari i radhës që jep shpjegime për protestën e 21 Janarit 2011, ku u vranë 4 qytetarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Pas riçeljes së hetimit, SPAK ka pyetur ish-kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn, ish-zëvendësin e tij, Agron Kuliçajn dhe deputetin e PS, Xhemal Qefalia.
Në ditët në vijim pritet që si dëshmitarë dhe persona që kanë dijeni të pyeten edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të kohës.
Tv Klan