Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka konsideruar padrejtësi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme që ka kthyer për rigjykim nga e para dosjen ndaj tij.

Duke folur për mediat pas daljes nga gjykata, Tahiri tha se i vjen turp për detyrat publike që ka mbajtur nëse ka qytetarë të tjerë që zvarriten nëpër gjykata njësoj siç ndodh me çështjen e tij.

“Mendoja që pas thuajse 3 vitesh histori… Rikthimi në pikën zero është padrejtësi. Më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam mbajtur nëse ka një shqiptar të dytë që zvarritet në këtë mënyrë. Është totalisht e pakuptimtë për mua që të vazhdojë kjo histori thuajse 3 vjet.

Nuk kam asnjë emocion tani përveç domosdoshmërisë time për të shkuar drejt pafajësisë time që unë pretendoj. Beteja fillon nga e para, Gjykata e Lartë nuk ekziston”, tha Saimir Tahiri. /tvklan.al