Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një ditë pas defektit në det të anijes “Antonia”, Partia Demokratike reagon duke e cilësuar fat që avaria ndodhi ditën dhe jo natën. Shpëtimi i pasagjerëve të linjës Sarandë-Korfuz është ngjarje e gëzuar për kreun e PD Berisha. Ngjarja për të është pasuar me trillime nga ana e qeverisë, e cila ka bërë deklarata në emër të kryeministrit, që nuk ndodhej në Shqipëri.

Sali Berisha: “Shpreh përçmimi tim, ndaj zyrës së kryeministrit për mashtrimin monstruoz, në një kohë kur zhgërryej dhe dergjej në Dubrovnik, apo Budva, nëpërmjet televizionit shtetëror trillohej dhe shpifej, se kryeministri po e ndjek nga zyra e tij, ka ndjekur tragjedinë hap pas hapi. Mashtrime të tilla janë të turpshme, se në fakt ai pasi la rreth 120 mijë euro në kazinonë e Venecias, të paguara nga biznesmenët e listës Nano, me krocierën e tij kaloi në Dubrovnik dhe sipas të dhënave të sigurta, ka kaluar kufirin shtetëror të Shqipërisë sot”.

I pyetur për problemin e KQZ dhe mospranimin e dorëheqjes nga kryetari Celibashi, Berisha u shpreh, se ai bën atë çka i thotë Nano. Ndërsa me listat e zgjedhësve duhet të merret pushteti lokal. Rikthimi i protestave për Berishën ka qëllim largimin e një fatkeqësie. Lëvizja “Nano ik” nuk quhej vetëm protestë, ajo për Berishën është kombinimi i veprimeve të shumanshme që do të vazhdojë të funksionojë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti