Në Korçë kryeministri Sali Berisha ftoi qytetarët të lidhin sërish kontratë-besimi me qeverinë demokratike për katër vitet që vijnë. Kontratë që sikurse tha kryetari i qeverisë sot ofrohet në kushte të reja kur vendi është anëtari NATO-s, ka aplikuar për në BE dhe ndodhet në prag të lëvizjes pa viza në Europë. 

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, rritja e pagave dhe pensioneve ishin disa nga arritjet e qeverisë, të cilat përmendi kryeministri gjatë takimit elektoral në sheshin qendror të qytetit.

Sali Berisha: “Këtë stad të ri nuk e nisim në vitin 2005, por nisim pasi kemi bërë emër në mbarë botën. Kemi zënë në vendin e dytë në botë për biznesin, kemi në dalë në krye të rritjes ekonomike në Evropë për vitin 2008-2009. Pra sot kemi një Shqipëri tjetër.”

Por  kryeministri përmendi infrastrukturën rrugore si një ndër kushtet kryesore që vendi të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Sali Berisha: “Nuk ka Shqipëri evropiane pa rrugë tërësisht të asfaltuara. Jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën ju se brenda qershorit fillojnë punimet Qafë Plloçë-Qukës, i kam porositur inxhinierët dhe po studiohet dhe krahas tij, në rast se gjejmë aks më të shkurtër Korçë-Tiranë, do ta ndërtojmë.”

Takimin me qytetarët kryeministri e shoqëroi me prezantimin e kandidatëve për deputetë, ishte rasti për tu kërkuar korçarëve votën si shprehje e besimin për çfarë është arritur në katër vite.  Programi qeverisës i PD për katër vitet që vijnë rendit punësimin dhe luftën ndaj varfërisë si prioritete. Shifrës prej 80 mijë qytetarësh të punësuar në katër vite do ti shtohen dhe  80 mijë të tjerë gjatë mandatit të ardhshëm. 

Sali Berisha: “Ne ia kemi dalë të nxjerrim 400 mijë shqiptarë nga varfëria. Para jush zotohem se në mandatin tonë të dytë nuk do të ketë shqiptarë i cili të marrë nën 2 dollarë në ditë, kudo që ndodhet në Shqipëri.

Gjatë fjalimit të tij në shesh kryeministri i drejtoi sërish një apel kryetarit të PS Edi Rama.

Sali Berisha: “Zoti Edvin, po tregon se je një shpirtzi i pashembullt në historinë e këtij vendi. Je një shpirtzi që nuk ke shok askund. Nuk kandidove, sepse ti do t’ia prishësh shqiptarëve dasmën e demokracisë, por unë të jap fjalën ty se në arkivat e turpit të historisë do përfundosh dhe ne Korçën europiane, Shqipërinë evropiane do ta ndërtojmë. Në rast se të ka mbetur dhe qoftë edhe një miligram i përgjegjësisë qytetare, ndaj këtyre qytetarëve, ndaj shqiptarëve, shko regjistro veten ne krye të listës. Shko regjistrohu, jam gati që nesër që të mbledh Parlamentin, të ndryshoj ligjin. Mos mendo ti se do t’ua kthesh fëmijë të Korçës, këtyre qytetarëve të Korçës të shkuarën si të ardhme. Jo, jo asgjë se ndal shikimin e tyre drejt së ardhmes. Ne do t’i japim vendit zgjedhjet më të bukura, më të lira, më dinjitoze në historinë e tij.”…/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi