Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Sali Berisha: “Presidenti theksoi problemin e ndarjes së pushteteve, por unë mendoj se është i vonuar dhe fjala e tij, në këtë aspekt themelor të shtetit, vjen si një postym, vjen si një nekrologji e varrosjes së ndarjes së pushtetit dhe përqendrimit të gjitha pushteteve në duart e Fatos Nanos. Natyrisht theksoi me të drejtë çështjen e zgjedhjeve, por do ishte shumë më e drejtë të kishte shkarkuar Subashin dhe të vinte këtu të njoftonte kombin dhe parlamentin, se vendosa të shkarkojë Subashin e paligjshëm në KQZ dhe të rikthejë zbatimin e ligjit në KQZ. Në këtë mënyrë do të bëhej shumë më i besueshëm përsa i përket përkushtimit të tij ndaj shtetit ligjor. Foli sigurisht me të drejtë për probleme të korrupsionit, por nuk atakoi kryeministrin direkt, si strumbullar kryesor i korrupsionit që vetëm tre ditë më parë siguroi një financim prej 60 milion dollarësh për kompaninë e tij. Nuk u përmend asnjë fjalë për drogën, e cila në të vërtetë, në mënyrë të padiskutueshme është shndërruar në platformën e qeverisë së Fatos Nanos, pra ishte një fjalë në të cilën u trajtuan probleme të rëndësishme, si integrimi dhe probleme të tjera, por mendoj se duhet të vinte si Shën Thomai, të vinte gishtin në plagë dhe vetëm në këtë mënyrë fjala e tij do ishte një fjalë që do të zinte vend në analet e parlamentit”./tvklan.al