Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në takimin e 27 ndërkombëtar “Siguria globale, sfidat në rritje në Berlin” se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit tonë në strukturën e Atlantikut të Veriut.
Në takimin ku ishte edhe referues kryesor i panelit të darkës, kryeministri tha se plani i veprimit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO u kthye në udhërrëfyesin e vërtetë, duke u bërë një motiv madhor për qeverinë në përmbushje të reformave, në mënyrë që ta meritonte finalizimin e këtij procesi.
Sali Berisha: “Plani i veprimit për anëtarësim u kthye në udhërrëfyes të vërtetë dhe u bë një motiv madhor për qeverinë për të punuar me përkushtim të madh në të gjitha aspektet e reformave, në mënyrë që ta meritonte atë. Kjo është filozofia ime. Kjo është në interesin më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat e NATO-s. Unë jam thellësisht i bindur se mënyra se si NATO zgjeroi rolin e saj në misionet e lirisë do të jetë një drejtim për të ardhmen e saj gjithmonë e më shumë globale. Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur detyrën e saj në Afganistan e Gjeorgji. I premtova Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se ne do të angazhohemi për trajnimin e forcave policore afgane, u sigurojmë 100 bursa për studentët afganë dhe do të ndërtojmë tetë shkolla atje”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha u ndal dhe tek projekti tjetër madhor, ai i Shqipërisë Evropiane, që sikundër tha e ka angazhuar qeverinë e drejtuar prej tij të përmbushë një sërë reformash me rëndësi jetike për vendin.
Sipas kryeministrit vendimi i Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën hap një erë të re për të dy vendet tona, atë për liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen.
Sali Berisha: “Ne po punojmë në një projekt të dytë madhor, i cili është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij viti ka pasur shumë vendime të rëndësishme për vendin tim. Pas zgjedhjeve, ministrat e Bashkimit Evropian votuan për Shqipërinë, për të hapur negociatat për statusin kandidat. 2284 pyetje iu dhanë vendit tim, të cilave ne iu përgjigjem. Ia dërguam Komisionit Evropian dhe tani po presim për vlerësimin e tyre. Në mes të muajit Maj, Këshilli i Komisioneve të Bashkimit Evropian vendosi të rekomandonte heqjen e vizave për Shqipërinë. Padyshim ne bëmë çdo gjë për të përmbushur çdo standard dhe ky ishte gjithashtu një motiv shumë i madh për vendin tim. Kështu, rruga jonë nuk ishte kurrë një rrugë e lehtë dhe padyshim nuk ka gjasa të jetë një bulevard, por unë mund t’ju them se është një rrugë e sigurt, e vështirë dhe e suksesshme dhe ne jemi të përkushtuar për ta ndjekur këtë rrugë”.
Po kështu kryeministri Berisha foli edhe për reformat ekonomike, duke vënë theksin tek qëndrueshmëria e saj edhe në kohën kur bota u godit nga kriza financiare.
Sali Berisha: “Në këta 20 vjet Shqipëria ka treguar se është një vend tjetër, një vend i cili e filloi me një pagë mesatare prej 4 deri në 7 dollarë amerikanë dhe ka një pagë mesatare prej 260 dollarësh. E filloi me një ekonomi totalisht të rrënuar dhe tani, në vitet më të vështira të ekonomisë botërore dhe asaj evropiane, ka mbajtur një rritje prej 3.5% dhe këtë vit ka dyfishuar eksportet, ka një sistem bankar plotësisht likuid me një raport 60% midis depozitave dhe kredive.”
Zgjedhjet elektorale të 28 Qershorit ishin një tjetër çështje me rëndësi, e prekur nga shefi i ekzekutivit.
Ai theksoi se ky proces elektoral dëshmoi përmbushjen e standardeve duke garantuar votën e lirë të qytetarëve shqiptarë në një shtet ligjor me demokraci funksionale.
Një vend të veçantë në fjalën e tij, kryeministri Berisha i kushtoi bashkëpunimit rajonal.
Duke u ndaluar te Kosova, ai tha se pavarësia e saj ka sjellë një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shefi i qeverisë rishprehu vlerësim se për rajonin tonë, që ka përballuar vështirësitë e jashtëzakonshme në të kaluarën, po hapet një kapitull i ri me kryefjalë integrimin evropian./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro