Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO do të gjejnë mbështetjen opozitës, jo duke sulmuar qeverinë, por duke votuar në parlament të gjitha projektligjet që kanë të bëjnë me integrimin. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka siguruar Trojkën Europiane, se Partia Demokratike pranon vërejtjet dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve, por nga ana tjetër kërkon mbështetjen e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 2005.

Sali Berisha: “I sigurova se, si Parti Demokratike, do të votojmë çdo ligj, do të votojmë çdo akt, do të mbështesim çdo përpjekje e cila synon shpejtimin e procesit të integrimit, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri dhe shpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe NATO, duke siguruar shqiptarët, duke siguruar komunitetin ndërkombëtar PD është e hapur për çdo vërejtje, për çdo sugjerim dhe angazhohet që çfarëdo që të jetë në interes të procesit të integrimit, ajo ta ndërmarrë në emër të një interesi madhor kombëtar të shoqërisë shqiptare dhe të vendit.”

Sipas krydemokratit Berisha, nuk ekziston vullneti politik nga ana e mazhorancës socialiste, për të kryer reformat që ndihmojnë përshpejtimin e procesit të Stabilizim Asociimit. Nga SHBA, OSBE dhe BE deklarohet hapur se Shqipëria do të ketë mbështetje, shprehet Berisha, por kjo me kushtin e vetëm nëse procesi i zgjedhjeve do të zhvillohet sipas standardeve europiane.

Me shumë vëmendje ndërmjet tyre u diskutua reforma zgjedhore. Kreu demokrat tha gjithashtu, se gjatë diskutimit u theksua mungesa e vullnetit politik nga ana e kryeministrit Fatos Nano për luftën kundër korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari