Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari i PD Sali Berisha ka nisur turin e tij elektoral në Bulqizë, Klos dhe Mamurras, për të prezantuar kandidatët e PD në këto rrethe. Në fjalën e tij, Berisha përmendi papunësinë e lartë të zonave të veriut, si të lëna pas dore nga qeveritarët socialistë.
Kreu demokrat u tha tubuesve, se në Shqipëri ekziston sistemi i korrupsionit, ndaj ka ftuar të gjithë shqiptarët të votojnë kandidatët e PD, pasi qeverisja lokale me to, do të sjellë një jetesë më të mirë në zgjidhjen e problemeve sociale, si dhe infrastrukturë të qytetit.
Sali Berisha:- “E keni marrë vesh vëllezër, se e ka shpallur veten të pastrehë në pasuritë e deklaruara, shoku Fatos rezulton qytetar i pastrehë. Ai është arkitekti kryesor i sistemit të vjedhjes, korrupsionit dhe varfërimit të qeveritarëve”.
Roland Keta është kandidati i PD në Bulqizë, të cilin Berisha e cilësoi, si njeriun më të ndershëm dhe më të devotshëm për punë. Në programin e PD, Berisha përmendi, se bashkia do të jetë bashkia e qytetarit, ku dyert e saj do të jenë të hapura për çdokënd./tvklan.al