Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ashtu si 13 vjet më parë kur shembën bustet e diktaturës edhe kjo pranverë do të jetë stina e re e demokracisë, e cila do t’i gjejë shqiptarët pa qeverisjen e korruptuar të Fatos Nanos. Ka qenë ky mesazhi që kreu i PD Sali Berisha i ka përcjellë qytetarëve durrsakë në prag të protestës masive të 21 Shkurtit.
Në fjalën e tij kreu demokrat e cilësoi qeverisjen aktuale si ndjekëse të një politike varfëruese për masat.
Sali Berisha:- “100 mijë shqiptarë, 100 mijë djem dhe vajza nënash, në moshën më të fuqishme të njeriut, ikin çdo vit nga Shqipëria. Cilat janë rezultatet? Rezultatet janë një komb, për të mos thënë në shpërbërje, një komb në shpërndarje. Cilat janë rezultatet? 46% e shqiptarëve jetojnë me 1 dollar në ditë. Cilat janë rezultatet? Rezultatet janë sipas FMN-së, se në Shqipëri, vidhen 2/3 e taksave që ju paguani”.
Takimi u përshëndet edhe nga kreu republikan Fatmir Mediu, kryetari i PLL Ekrem Spahia, aleancisti Preç Zogaj, si dhe nga funksionar të degës së PD në Durrës./tvklan.al