Për të parë nga afër të ardhurit nga Kosova lideri demokrat Sali Berisha ka shkuar sot në qytetin verior të Peshkopisë. Ai ka vizituar dy kampet e ngritura në këtë rreth ku është shprehur se populli i Kosovës ka kaluar një lum sakrificash për liri e pavarësi. Ai u bëri thirrje kosovarëve që një kohë sa më të përshtatshme të kthehen në shtëpitë e tyre të djegura e të zhuritura.
Lideri demokrat Berisha ka ngushëlluar sot dhe familjen Gashi të cilës u janë vrarë dy djemtë ushtarë të UÇK-së. Nuk ka kënaqësi më të madhe u tha Berisha familjarëve se të japësh jetën për liri, pavarësi dhe flamur. Berisha ka marrë pjesë gjithashtu në aktivin e Partisë Demokratike të Dibrës ku dhe ka zhvilluar një miting të paparashikueshëm.
Pasi ka analizuar situatën e fundit politike dhe demokratike, Berisha tha se sot Shqipëria vuan nga neglizhenca e shtetit dhe klanet brenda tij. Ai duke shprehur mbështjetjen për UÇK-në nënvizoi se kjo ushtri bashkëvepron shumë mirë në terren pavarësisht nga përçarja që ekziston mes faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego