Lajme Arkiva 2003

Qytetarët e Lushnjes, Beratit dhe Peqinit kanë pritur kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili shkoi për të prezantuar kandidatët e Partisë Demokratike në këto rrethe.

Kandidatët shprehen se zyrat e bashkive do të shndërrohen në shtëpitë e qytetarëve siç është parashikuar në programin e Partisë Demokratike ku ata do të kenë të drejtën e tyre për të zgjidhur problemet.

Lideri i opozitës Sali Berisha ka sqaruar tubuesit se duhet të votojnë për Partinë Demokratike. Berisha u shpreh se në Shqipëri, sistemi i korrupsionit është ulur këmbëkryq dhe vetëm vota për alternativën politike e shpërbën atë njëherë e përgjithmonë.

Kryedemokrati ka përmendur papunësinë, çmimet e larta, mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike, si pasojë e qeverisë socialiste, e cila shpërdoron paratë e taksapaguesve shqiptar.

Sali Berisha: Kush e ka faqen e zezë? Qytetarët e Lushnjes? Fermerët e Lushnjes? Qytetarët e varfër shqiptarë? Fermerët shqiptarë? Absolutisht, jo! Qytetarët e Lushnjes pavarësisht nga bindjet partiake e kanë faqen e bardhë dhe janë njërëz të ndërshëm dhe me dinjitet. Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike, për ndryshimin e madh të jetesës në vend./tvklan.al