“Integriteti territorial” i Ukrainës duhet të jetë themeli i çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia. Kjo është deklarata e 80 vendeve e lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të Samitit për Paqe Globale.
100 delegacione prezente, mungon Kina e Rusia
Rreth 100 delegacione, kryesisht vende perëndimore, por edhe disa vende kyçe në zhvillim, morën pjesë në Konferencën e Paqes në Zvicër. Në fakt mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Disa vende nuk iu bashkuan kësaj deklarate. Brazili, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve. Dokumenti përfundimtar kërkon arritjen e një paqeje bazuar në Kartën e OKB-së dhe “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
Viola Amherd, presidentja zvicerane që drejtoi këtë takim tha se fakti që “shumica e pjesëmarrësve ranë dakord për dokumentin përfundimtar tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”.
Putin i ashpër: Të dorëzohen 4 rajonet e kontrolluara nga Ukraina!
Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina. Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Samiti u quajt me të drejtë “Rruga drejt Paqes”, sepse një synim i tillë nuk do të arrihet me ndërmarrjen e vetëm një hapi.
Zelensky kërkon mbështetje më të madhe për Ukrainën
“Mbështetja nga liderët perëndimorë dhe liderë të tjerë në këtë samit për paqe për Ukrainën dëshmon se mund të rivendoset rendi dhe ligji ndërkombëtar“, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Me këtë samit, Zelensky kërkoi që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska. Samiti i 15-16 qershorit ishte kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Klan News