NATO-ja do të marrë rol udhëheqës në shpërbërjen e trupave mbrojtës të Kosovës dhe më pas në ndërtimin e forcës së sigurisë së Kosovës. Kështu është shprehur sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer në një konferencë për median në përmbyllje të vizitës së tij disa orëshe në Kosovë.

Jaap de Hoop Scheffer: “NATO do të ketë rol mbikëqyrës në shpërbërjen e TMK-së dhe në ndërtimin e forcës së sigurisë së Kosovës, e cila do të ketë detyra specifike. Kjo është vendosur nga këshilli i NATO-s, shpresojmë se kjo do të jetë një forcë shumë etnike dhe nën mandat të KFOR-it.”

Forca e sigurisë së Kosovës ose ndryshe siç Prishtina ka dëshirë ta quajë  ushtria e Kosovës, do t’i ketë 2500 pjesëtar të rregullt dhe 800 rezervistë. Shefi i aleancës veriatlantike megjithatë është shprehur se forca e sigurisë nuk do të luajë rolin një armate. Ajo sipas Schefferit do të ketë kompetenca të ngjashme me ato që kanë pasur trupat mbrojtëse të Kosovës.

Jaap de Hoop Scheffer ka folur gjithashtu edhe për prezencën e NATO-s në Kosovë. Sipas tij KFOR do të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë, gjithnjë nën mandatin që i jep rezoluta 12/44.

Jaap de Hoop Scheffer: “Ka aleatë të KFOR-it që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ka të atillë që nuk e kanë njohur. Por ajo çka është më e rëndësishmja të gjithë janë në KFOR dhe do të mbesin në KFOR.”

Gjatë ditës sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka takuar dhe liderët institucional të Kosovës. Ata të komunitetit serb, përfaqësues të prezencës së OKB-së dhe BE-së në vend si dhe ka vizituar ushtarët e KFOR-it në veri të Kosovës./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki