Kancelari gjerman Olaf Shcolz ka humbur mocionin e votbesimit duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 23 Shkurt.

Scholz mori 207 vota në parlamentin prej 733 vendesh, shumë larg shifrës prej 367 që i nevojitej për të mbajtur pushtetin.

Vetë 66-vjeçari mbështeti zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, por spekulimet ishin të shumta përpara votimit se partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë kishte plane për të sabotuar zgjedhjet e parakohshme duke votuar që Scholz të qëndronte kundër vullnetit të tij.

Duke iu drejtuar parlamentit, Scholz i cilësoi zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për votuesit .

“Politika nuk është lojë, zonja dhe zotërinj. Hyrja në një qeveri kërkon pjekurinë e nevojshme morale. Kushdo që hyn në një qeveri mban përgjegjësi për të gjithë vendin. Përgjegjësi që shkon përtej platformës së partisë tuaj, votuesve tuaj. Përgjegjësia për 84 milionë qytetarë.”

Mocioni i votbesimit pasoi një seancë të nxehtë parlamentare në të cilën folën liderët e të gjitha partive. Lideri i opozitës Friedrich Merz, njëherazi kundërshtari kryesor i Scholz-it, sulmoi kancelarin dhe qeverinë e tij. Merz theksoi se Scholz, në 22 nga 26 vitet e fundit, ka qenë bashkëpërgjegjës për qeverisjen në Gjermani dhe për situatën aktuale të vendit. 

Merz akuzoi Scholz për mungesë lidershipi dhe ndikimi në nivel evropian, duke dëmtuar reputacionin e Gjermanisë brenda Bashkimit Evropian.

“Ju turpëroni Gjermaninë dhe Evropën me mënyrën se si silleni në Bruksel. Është e turpshme të shohësh një kancelar të Gjermanisë pa vizion dhe pa zë në tryezat ku merren vendimet e mëdha për të ardhmen e kontinentit.”

Kërkesa për votëbesim nga Scholz erdhi si pasojë e shpërbërjes së koalicionit qeverisës, pasi partnerët nuk mundën të binin dakord për buxhetin.

Klan News