Në politikën gjermane është thyer një tabu. Konservatorët kanë bashkëpunuar me të djathtën ekstreme për të mbështetur propozimin për uljen në mënyrë drastike të emigrantëve të huaj.
Roli i partisë Alternativa për Gjermaninë është simbolikisht i rëndësishëm për Gjermaninë e cila do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 Shkurt, në të cilat partia e ekstremit të djathtë pritet të dalë si e dyta më e madhe pas konservatorëve të Friedrich Merz.
Merz paraqiti dy mocione jo detyruese në parlament që kërkonin masa të shtuara sigurie dhe mbylljen e kufijve tokësorë gjermanë ndaj emigracionit duke shkaktuar orë debati në dhomën e ulët të Bundestagut.
“Pas sulmeve me thikë në Magdeburg dhe pas Aschaffenburg, më në fund duhet të merren vendime efektive kundër fluksit të refugjatëve të paligjshëm në Gjermani dhe kundër qëndrimit të paligjshëm të refugjatëve në Gjermani”, tha Friedrich Merz.
Pritej që Socialdemokratët të kancelarit Olaf Scholz dhe të Gjelbrit të kundërshtonin mocionet, prandaj Merz e dinte se do t’i duhej të mbështetej tek e djathta ekstreme. Propozimi për mbylljen e kufijeve tokësor kaloi me një shumicë të vogël prej vetëm tre votash, ndërsa propozimi për masa të shtuara sigurie u refuzua.
Scholz kritikoi bashkëpunimin e tyre dhe paralajmëroi për një koalicion të mundshëm të ardhshëm midis konservatorëve dhe të djathtës ekstreme pas zgjedhjeve, edhe pse partia e Merz aktualisht përjashton një skenar të tillë.
Kishat katolike dhe protestante të Gjermanisë paralajmëruan në një letër drejtuar parlamentit se bashkëpunimi me të djathtën ekstreme dëmton demokracinë e vendit.
Klan News