Në këngën e saj të fundit, “Zogjtë po ikin”, Eli Fara trajton temën e emigracionit dhe të prindërve që mbeten vetëm e pa fëmijët pranë. Njëkohësisht, nga përvoja personale ajo kujton se edhe i ati nuk pranonte të largohej nga shtëpia e tij deri në ditët e fundit.
Babai i këngëtares është ndarë nga jeta para pak kohësh dhe në rrëfimin e ndjerë që Eli bën për të në “Rudina” në Tv Klan, thotë se ende nuk e ka marrë veten pasi i mungon shumë.
Eli Fara: Unë jo që isha afër, isha shumë afër dhe prapë e ndiej veten që ndoshta do bëja më shumë, ndoshta duhet të kisha bërë më shumë. Nuk e di. Fati im që isha afër. Edhe shumë afër jo në fakt se Tirana me Korçën është 3 orë dhe unë në të njëjtën kohë… tani qëkur babai ndërroi jetë, që ditët e para që u ktheva në Tiranë më mungonte zilja e telefonit. Kishte një gjë që nuk shkonte në përditshmërinë time. Arsyeja përse i binte telefonit ishte menjëherë kur ishte mirë thoshte “mos u tremb se mirë jam, por mora të të pyes si je ti?” Ose tjetra që “nuk jam mirë”. Më mungon.
Përjetimi i largimit të tij nga jeta ka qenë tepër i vështirë për Elin, e cila gjatë periudhës së Covid-it humbi edhe nënën.
Eli Fara: Me eksperiencën time, mendoj që të ndryshon jeta komplet. Mbetesh vërtet jetim. Gjëja më e shtrenjtë dhe dashuria më e vërtetë janë vetëm prindërit. Kur i kemi mendojnë që janë të përjetshëm, por nuk janë. Mendoj që lum ai që e përjeton dhe shërben, sakrifikon për prindërit.
Eli shprehet se nuk e pranon që i ati është larguar nga jeta.
Eli Fara: Unë mendoj që babai im është akoma atje. Sigurisht që ndiej mall por nuk e pranoj që ka ikur dhe besoj që nuk do ta pranoj deri në fund./tvklan.al