Nata e dytë e audicioneve të “X Factor Albania 6” ofron emocione të forta dhe zbulime të reja, duke na treguar se pasioni për muzikën dhe përkushtimi mund të triumfojnë mbi çdo sfidë.
Në këtë fazë të vështirë, juria profesioniste, Bojken Lako, Eli Fara, Ronela Hajati dhe Ardit Çuni, po ndërton mozaikun e artistëve që do të dominojnë të ardhmen e muzikës shqiptare.
Një nga zbulimet e kësaj nate ishte Bletisa Karaj, një 17-vjeçare nga Elbasani që i la të gjithë pa fjalë me zërin e saj të mrekullueshëm dhe historinë frymëzuese. Gjimnaziste e talentuar, ajo nisi udhëtimin e saj muzikor në moshën 12-vjeçare dhe që prej atëherë nuk ka reshtur së ndjekuri ëndrrën e saj.
Bletisa ka ndjekur kurse të kantos operistike dhe ka qenë pjesëmarrëse në konkurse të njohura si “Gjeniu i Vogël”. Por rruga e saj nuk ka qenë e lehtë. Në një intervistë të shkurtër me moderatoren Alketa Vejsiu, ajo tregoi për sfidën më të madhe që ka kaluar deri tani.
“Kur isha 14 vjeçe, pësova një problem me kordat e zërit. Ishte një moment i vështirë për mua dhe më dukej sikur duhej të hiqja dorë nga muzika. Por me mbështetjen e familjes dhe shumë përkushtim, arrita të rikuperoj zërin dhe të vazhdoj”, tha ajo.
Me performancën e saj ajo mori 4 “Po” nga juria duke kaluar në fazën tjetër./tvklan.al