Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kërkuan për herë të fundit pafajësinë, para se gjykata të japë vendimin. Katër ish-zyrtarët e Ministrisë së Rendit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, dhanë deklarimet, ku edhe njëherë cilësuan politike akuzën ndaj tyre. Ish-zv/ministri i Rendit Bujar Himçi, i konsideron të njëanshëm prokurorët e çështjes.
Bujar Himçi:- “Unë së bashku me të pandehurit e tjerë, arrestohemi në mungesë, sikur ishim persona të larguar në drejtim të paditur, për akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit, me shumën 2 milion e 285 mijë dollarë. Akuzë kjo krejtësisht absurde, por politike, vetëm për të përligjur arrestimin tim në opinionin publik”.
Kemi zbatuar urdhrin e Ministrit të Rendit Ilir Gjoni, për të nënshkruar kontratën dhe amendamentet e saj për prodhimin e pasaportave, kështu deklaroi ish-drejtori i rendit në këtë ministri Veli Myftari.
Veli Myftari:- “Nuk besoj se ka shtet demokratik që do të mbajë në burg shtetasit e tij pa faj, pa bërë faj, përkundrazi, pse kanë bërë detyrën dhe vetëm detyrën. Sa sipër kërkojë nga kjo gjykatë siç u tha edhe avokati im, shpalljen time të pafajshëm, për akuzat e ngritura nga organi i prokurorisë”.
Pafajësi kërkuan ish-kreu i Agjencisë së Prokurimit Publik Arben Prifti dhe avokati mbrojtës i të gjykuarit në mungesë Edmond Aliaj. Për këtë të fundit, prokuroria kërkoi dënimin me 5 vjet heqje lirie, ndërsa për Himçin dhe Myftari, përkatësisht 4 dhe 3 vjet. Ndërsa pritet që gjykata të japë vendimin në ditët e ardhshme, kontrata me firmën gjermane të prodhimit të pasaportave vazhdon rregullisht. Në procesin gjyqësor për skandalin e tyre nuk dëshmoi asnjëherë ministri i Rendit Ilir Gjoni./tvklan.al