Kryetari i Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit zoti Sefedin Çela ka dhënë dorëheqjen. Këtë fakt ai e ka bërë publike gjatë një deklarate për mediat duke paraqitur dhe deklaratën e dorëheqjes së paraqitur për kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mjetet e Informimit Publik. Megjithëse, sipas tij, shkaku i kësaj dorëheqjeje kanë qenë arsyet familjare, duket qartë se largimi i tij nga ky post ka lidhje me presionet e disa mediave të caktuara. Në deklaratën për shtyp zoti Çela është përqëndruar në lidhje me paligjshmërinë e transmetimit të kompanisë Digitalb.

Sefedin Çela: “Pas një fushate promocionale të paparë ndonjëherë më parë, në kulmin e sezonit turistik dhe të vapës, njëkohësisht dita e daljes në transmetim të Digitalb, pa marrë frymë qytetarët e interesuar e të etur për cilesi e larmi programesh, pra më 15 korrik KKRT publikoi një deklaratë krejt non sens me klimën e mësipërme, por gjithashtu e mbështetur në ligj.”

Po ashtu Sefedin Çela ka shpjeguar evoluimin e këtij problemi qysh në fazat e para.

Sefedin Çela: “Në 21 janar dhe në 23 mars 2004 Top Channel shkresërisht ka shprehur interesin për të investuar në teknologjinë digitale e tokësore kundrejt një license të dytë për të ofruar shërbimine ri radioteleviziv. Në përgjigje KKRT ka përshëndetur nismën për të investuar në teknologjinë më bashkëkohore, i fton për bashkëpunim në rregullim ligjor e teknik të fushës dhe i paralajmëron të mos rrezikojnë financiarisht duke realizuar investime për një veprimtari të palicensuar dhe të parregulluar me ligj. Një përgjigje e ngjashme u është dhënë edhe subjekteve të tjerë që kanë bërë të njëjtën kërkesë. Veprimi i faktit të kryer ka penalizuar këto subjekte, që duke respektuar ligjin janë në pritje të miratimit të kuadrit ligjor.”

Ndërsa në mbyllje të deklaratës së tij për media, zoti Çela u shpreh:

Sefedin Çela: “Unë nuk jam plaku i fundvitit që hap thesin e dhuratave. Kam një kontratë me shtetin. Ashtu si dhe Digitalb nuk është Nënë Tereza e bën bamirësi, normalisht bën biznes. Të dy palët, që të jemi të mbrojtur, duhet të respektojmë ligjin.” /tvklan.al