Nxitja e inovacionit, anëtarësimi i Shqipërisë në zonën e pagesave “SEPA”, dhe bankingu i hapur ishin në fokus të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi me përfaqësues të sektorit te bankave. Guvernatori Sejko u shpreh se transformimi digjital dhe avancimi i hapave të mëtejshëm në “SEPA” janë ndër objektivat më të rëndësishëm.


“Bankat të vijojnë përgatitjet për të respektuar afatet e vendosura, në mënyrë që të realizojnë aderimin në skemat “SEPA” dhe kryerjen e transaksioneve për klientët brenda vitit 2025. Në këtë kuadër, tashmë është koha që sistemi bankar të angazhohet për të qenë plotësisht pjesë e sistemeve “SEPA”, duke investuar në teknologji, infrastrukturë dhe trajnime të stafit. Kjo iniciativë pritet të ndikojë gjithashtu drejtpërdrejt në rritjen e kënaqësisë së klientit të sektorit bankar, nëpërmjet rritjes së efikasitetit të pagesave ndërkufitare dhe integrimin në sistemin financiar evropian.”

Një tjetër pikë e sjellë në vëmendje nga Guvernatori Sejko ishte kreditimi i ekonomisë, zgjerimi i të cilës është përkthyer si një nga burimet kryesore të mbështetjes së saj me fonde, si dhe si nxitës i rritjes së konsumit dhe të investimeve në vend.

Klan News