Për të dytën herë brenda pak muajsh, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në 2.75%, nga 3% që ishte deri më tani. Ky ndryshim prek drejtpërdrejt normat e kredive që tani do të jenë më të ulëta.

Guvernatori Gent Sejko tha se vendimi u mor pasi Këshilli e gjykoi si të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit ndaj politikës monetare.

“Ky ambient ekonomik e financiar, si dhe përqasja pozitive e bankave ndaj klientëve, ka sjellë një rritje të shpejtë të kredisë gjatë vitit 2024. Rritja vjetore e kredisë regjistroi nivelin 16.8% në tremujorin e tretë, duke shënuar dhe nivelin më të lartë të më shumë se një dekade.”

Per Sejkon, inflacioni është në nivele të ulëta dhe në një plan aftshkurtër pritet të mbetet i tillë.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj 3-mujorit paraardhës. Në aspektin makroekonomik, rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar në masën më të madhe, rënien e inflacionit të importuar.”

Ndërsa rritja ekonomike prej 4%, ritëm i cili pritet të vijojë më tej, vlerësohet se është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. 

Tv Klan