Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore të zhvilluara në Uashington.

Ai i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet ekonomike dhe perspektivat e progresit të mëtejshëm të vendit. Sejko u shpreh se, ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria u prek nga goditjet e pafavorshme ekonomike globale dhe inflacioni i lartë, por tashmë, ai është në nivelet më të ulta.

Gent Sejko: Shqipëria e ka fituar luftën me inflacionin që u shfaq prej fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe tashmë inflacioni është në nivelet më të ulëta, ndërkohë që tregjet financiare paraqiten të qeta, dhe me kapacitet për mbështetjen dhe përparimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së përgëzuan Shqipërinë për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.

Ata gjithashtu u ndalën në vlerësimin e përmirësuar nga Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, e cila e rishikoi me rritje ekonominë shqiptare.

Klan News