Pavarësisht sulmeve të shtuara kibernetike përgjatë dy viteve të fundit drejt sistemi bankar, Guvernatori i Bankës Qëndrore, Gent Sejko ka garantuar nga Komisioni për Dezinformimin se hakerat nuk kanë arritur të cënojnë llogaritë bankare të qytetarëve falë bashkëpunimit të institucioneve.

“Dy vitet e fundit, sulmet kibernetike drejt sistemit bankar janë shtuar. Në një rast ka qenë një sulm i fortë kibernetik ndaj një banke që nuk ka cënuar llogaritë bankare si pasojë e masave të marra por informacionin, të dhënat. Por falë koordinimit të punës të gjithë institucioneve, përfshirë këtu BSH-në është izoluar dhe nuk ka krijuar probleme.”

Sipas Sejkos, prioritet i Bankës Qëndrore për të pasur një mbrojtje sa më të lartë të sigurisë së informacionit janë investimet në sistemet infrastrukturore dhe në këtë proces po asistohen nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

“Në bashkëpunim me zyrën e asistencës teknike të Departamentit Amerikan të Thesarit po kryhet rishikimi dhe përshtatja e rregullores së BE-së, DORA, për një përqasje sa më të plotë të rregullores së mbikqyrjes së rrezikut të teknologjisë dhe informacionit dhe kibernetik. Kjo rregullore pritet të miratohet nga Këshilli Mbikqyrës i BSH-së muajin që vjen”

Aktualisht në tregun shqiptar financiar operojnë 11 banka të nivelit të dytë, 5 prej të cilave me kapital shtetëror, 5 me origjinë nga vendet e BE-së dhe një bankë me origjinë kapitale nga Turqia.

Tv Klan