Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson, ka përsëritur mendimin e tij, se Kosova duhet të jetë vend demokratik dhe i bashkuar. Ai ka premtuar se NATO do të përfundojë punën që nisi në Kosovë më 1999, për një vend multietnik, demokratik dhe të pandarë.
Robertson, i shoqëruar nga 26 përfaqësuesit e Këshillit Veriatlantik të NATO-s, qëndruan sot në Prishtinë duke nënvizuar, se në Kosovë nuk duhet të ketë vend për gjuhën e skajshme të urrejtjes, krimin e organizuar dhe kriminalitete të tjera.
“Jemi këtu për të dëshmuar vendosmërinë e NATO-s, për të përfunduar punën që kemi filluar në Kosovë, si dhe për të garantuar siguri për njerëzit e Kosovës. Ne kemi porosi të forta për Kosovën, puna e filluar duhet të përfundohet dhe kjo punë është krijimi i një Kosove demokratike, multietnike dhe e pandarë, në të cilën institucionet demokratike, do të funksionojnë për të gjithë njerëzit pa dallim”, u shpreh Robertson.
Robertson në paraditen e sotme është takuar me kryeadministratorin Shtajner, i cili u shpreh i kënaqur me përkrahjen e Robertsonit, për politikën e UMNIJ-ut në Kosovë. Si duket ky qe takimi i fundit i Shtajnerit, meqë ai javën e ardhshme do të përfundojë misionin e tij në Kosovë. Që të dy janë pajtuar se në Kosovë ndoshta do të reduktohen forcat e KFOR-it, por sipas tyre nuk do të reduktohen standardet për ndihmë të vazhdueshme për UMNIK-un./tvklan.al
Gazetare – Blerta Foniqi