Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, ka bërë ekzekutimin e një tjetër vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për vendosjen e masës së sigurisë pasurore “Sekuestro preventive”.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se kjo sekuestro është bërë mbi sipërfaqen 23 000 m2, e mbjellë me pemë në zonën e Radhimës, vlera financiare e së cilës kap shifrën rreth 2.3 milionë euro.
Ky sekuestrim pasuror u bë në kuadër të hetimit ndaj një personi me iniciale A. L., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Policia thotë se nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka rezultuar se personi në fjalë dyshohet ta ketë përfituar këtë sipërfaqe pemëtore me anë të falsifikimit të dokumenteve.
Veprimet e mëtejshme do të ndiqen nga ana e Prokurorisë./tvklan.al