Nëse Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë një marrëveshje për të bashkëqeverisur, Eduard Selami thotë se do ta prishë atë. Rivali i Bashës në garën për Partinë Demokratike e quan të dëmshëm për Shqipërinë dhe vetë të djathtën këtë koalicion dhe angazhohet se do të jetë vendimi i parë i tij nëse demokratët do t’i besojnë drejtimin e partisë.
“Pika tjetër që më shqetëson dhe që unë do ta anuloj, nëse ka një koalicion mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, unë jam absolutisht kundër. Kjo është në dëm jo vetëm të Partisë Demokratike, por edhe në dëm të Shqipërisë. Është totalisht i panevojshëm një koalicion i tillë”.
Nga studio e emisionit “Arena” në Ora News, ai tha se vendimmarrje të tilla do t’ia lerë në kompetencë organit më të lartë në parti dhe nuk do jenë tagër i kryetarit të partisë.
“Do t’ia lë kompetencë Këshillit Kombëtar, të zgjeruar, ku janë dhe ku s’janë”.
Ajo që e shqetëson është mungesa e demokracisë në Partinë Demokratike. Dhe për këtë bën përgjegjës kryetarin e vetëngrirë Basha, të cilit i faturon edhe humbjen e thellë të zgjedhjeve.
“Këtu është bërë shkretëtirë se nuk ka njeri. Nuk të lë njeri të diskutosh dhe të aftësohesh. Të jenë parti politike ashtu siç janë, organizata politike të fuqishme të mendimit politik. Del ai me një letër dhe ia jep ai tjetrit kush është në listë. 20 kryetarë partie që u zgjodhën me një anëtar, një votë, edhe ata i hoqi. Thonë pastaj se ka bërë marrëveshje. Marrëveshje përse? Unë po të rrëzoj të gjithë modelin tënd”.
Ndryshe nga Lulzim Basha, i cili vetëm një muaj përpara zgjedhjeve vendosi të lërë jashtë listave shumë prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, Selami tha se do të afrojë në parti të gjithë ata që kanë pasur një mendim ndryshe nga kryetari i ngrirë.
Tv Klan