Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ekonomia shqiptare pritet të shënojë mbi 40 milion dollarë humbje si pasojë e krizës së naftës. Fakti që tregu dominohet nga importet, e thellon më tej krizën. Eksperti i tregtisë ndërkombëtare Selami Xhepa shpjegon:

Selami Xhepa: “Importimi i të njëjtës sasie në vëllim fizik të naftës gjatë një viti, por me një çmim më të lartë natyrisht që përbën një humbje të madhe për ekonominë. Kjo do të thotë që 40 milion apo 45 milion, që janë të ardhurat e qytetarëve, do të shkojnë për të blerë të njëjtën sasi malli jashtë vendit, gjë që do të thotë një humbje, pra në këtë kuptim, ajo llogaritet si një humbje e të ardhurave të qytetarit mesatar. Shifra prej 45 milion dollarësh do të thotë, një ndikim të paktën në masën 1% të ekonomisë kombëtare.”

Çmimi i naftës është rritur nga 50-70% në tregjet ndërkombëtare, rritje e cila është transmetuar deri në 25% në tregun vendas. Importuesit e naftës kanë deklaruar, se çmimi mund të shënojë përsëri rritje, pas fillimit të krizës në tregjet e huaja.

Rritja e çmimit të naftës u transmetua pak tek inflacioni gjatë muajit të kaluar, pasi rritja e çmimeve të transporteve u balancua nga ulja e çmimeve të produkteve ushqimore. Pritshmëritë janë, që inflacioni të transmetojë krizën e naftës gjatë muajve të ardhshëm./tvklan.al