Pas rasteve të disa sëmundjeve infektive në kafshë në vendet e rajonit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se gjendja epizootike në vendin tonë është e pastër.
“Autoriteti Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se gjendja epizootike në vendin tonë është e pastër. Aktualisht nuk kemi konstatuar asnjë rast me Murtajën e Ruminantëve të Vegjël (sëmundje që po shkakton dëme në shtetin e Greqisë dhe Rumanisë)”, njoftoi AKVMB.
Ndërkohë janë raportuar disa raste sporadike me brucelozë dhe tuberkuloz, por sipas autoritetit janë trajtuar sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me AKVMB dhe AKU po ndjekin nga afër situatën dhe kanë marrë masa për ndërprerjen e importit të kafshëve të imëta nga vende ku është shfaqur sëmundja.
“AKVMB ka ngritur grupe pune për sensibilizimin e trupës së saj inspektuese dhe të blegtorëve; janë informuar fermerët për shenjat e klinike të sëmundjes dhe masat që duhen marrë në çdo rast dyshimi; në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe atë Kufitare janë ngritur grupe të përbashkëta kontrolli në akset nacionale dhe zonat kufitare për kontrollin e lëvizjes së kafshëve me dokumentacion sipas legjislacionit. Këto grupe janë të gatshme 24 orë”, thuhet në njoftim.
Për më tepër inspektorëve të AKU-së në pikat e kalimit kufitar në çdo rast do u bashkohen edhe veterinerë kontrolli të shërbimit veterinar për verifikimin e gjendjes së kafshëve.
Ndërkohë është komunikuar me autoritetet e Bashkive kufitare me Greqinë për të bashkëpunuar me shërbimin veterinar.
Në fund AKVMB bën me dije se nuk ka vend për panik, por bashkëpunim edhe nga qytetarët për kalimin e kësaj situate./tvklan.al