Senati në Itali ka votuar që ish-ministri i Brendshëm dhe lideri i ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, të përballet në gjyq me akuzat e Prokurorisë për mbajtjen në det në mënyrë të paligjshme të emigrantëve.
Salvini akuzohet se nuk lejoi një anije me 116 emigrantë që të ankorohej në Siçili, duke e lënë për ditë të tëra në det në muajin Gusht të vitit 2019.
Me votimin e sotëm, Senati italian i ka dhënë ‘dritën jeshile’ Prokurorisë që të nxjerrë përpara gjyqit ish-ministrin e Brendshëm Matteo Salvini.
Nga ana tjetër, vetë lideri i ekstremit të djathtë ka thënë vazhdimisht se është i gatshëm që të përballet në gjyq me këto akuza. Ai është shprehur se “do t’i tregojë botës” që politikat e tij të emigracionit kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish.
“Jam i qetë dhe krenar për atë që kam bërë. Do ta bëj përsëri sapo të jem në qeveri”, tha ai pas votimit të Senatit.
Ndërsa deputetët e partisë së tij u larguan nga Senati dhe nuk morën pjesë në votimin që i hap rrugën Prokurorisë të nxjerrë përpara gjyqit ish-ministrin e Brendshëm.
Sipas ligjit italian, ministrat kanë imunitet parlamentar nëse akuzohen për vendime që kanë ndërmarrë gjatë kohës që kanë qenë në detyrë. Për të lejuar përballjen në gjyq për akuzat e ngritura nga Prokuroria, duhet dhënë miratimi nga Senati. /tvklan.al