Emisioni “Stop” në Tv Klan ndodhet në Ballsh për një problem në arsim. Në gjimnazin “Dervish Hekali” bëhet konkursi për pozicionin e nëndrejtorit dhe nga dy kandidatë fiton ajo me më pak pikë në konkurrim dhe pa certifikatë nga shkolla e drejtorëve.

Drejtori i shkollës Vullnet Sadikaj thotë se intervista e mësueses fituese ka qenë më cilësore, por këtu ka ndikuar edhe fakti që shkollës i duhej një mësuese fizike.

Vullnet Sadikaj: Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit nuk është e shkruar që fiton i pari apo fiton i dyti.

Gazetarja: Nuk është e shkruar kjo, po pse bëhet konkursi?

Vullnet Sadikaj: Bëhet konkursi për t’u dhënë mundësi konkurrentëve.

Drejtoresha e ZVA Mallakastër Etilda Disha thotë se kompetencat për zgjedhjen e nëndrejtorit i ka drejtori.

ZVA Mallakastër: Drejtori vendos në bazë të intervistës, që ka zhvilluar me kandidatët.

Gazetarja: Drejtori tha, që unë zgjodha këtë fituese, se nuk kam mësuese fizike..

ZVA Mallakastër: Nuk është ky kriter.. mendoj! Përgjigjet dhe përzgjedhjen e ka bërë drejtori i institucionit, atij ia jep të gjithë kompetencën udhëzimi, për të bërë përzgjedhjen e nëndrejtorit.

Gazetarja: Preferencial, sipas dëshirës?

ZVA Mallakastër: Jo preferencial, bazuar në kritere.

Gazetarja: A ka një modul të pyetësorit?

ZVA Mallakastër: Ka kritere.

Gazetarja: Cilat janë kriteret? Se këtu nuk tregojnë pyetjet, që bën drejtori.

ZVA Mallakastër: Do zgjedhë 5 pyetje, në lidhje me menaxhimin e institucionit.

Gazetarja: A ka një modul pyetjesh?

ZVA Mallakastër: Jo! I harton vetë personi që bën intervistën.

Pasi disa mësues ngritën zërin për shkeljet, drejtori i shkollës, Sadikaj, nisi të kërcënojë stafin. Në të njëjtën kohë “Stop” mësoi se edhe vetë drejtori nuk kishte një certifikatë të Shkollës së Drejtorëve.

Gazetarja: Drejtoresha, po vetë drejtori, e ka Shkollën e Drejtorëve?

ZVA Mallakastër: Duhet të flisni me drejtorin!

Gazetarja: Nuk ka informacion Zyra Arsimore për këtë?

ZVA Mallakastër: Jo!

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, shprehet se drejtori ka zgjedhur nëndrejtoreshën e re në shkelje të kërkesave ligjore./tvklan.al