Sali Berisha: “Unë jam kryeministri i vendit, ju jeni kryetari i PS. Unë jam i gatshëm të përballem me ty në çdo debat televiziv të moderuar kudo dhe për çdo çështje.”

Kësaj sfide të lëshuar nga kryeministri Berisha për të disatën herë, Edi Rama iu shmang sërish. Por alibinë e ka gjetur një ditë më pas tek kutitë e votimit.

Edi Rama: “Sfidat kanë radhë, zoti Berisha është sfiduar prej 10 muajsh që të hapë kutitë që mban mbyllur. Sapo të hapë kutitë unë do pranoj të debatoj kur të dojë dhe kur të dojë, sepse vetëm hapja e kutive çliron gjykimin e popullit me votë. Ndërsa kur populli nuk është i lirë të gjykojë me votë nuk ka debat, po ka përballje mes tij dhe pushteti të grabitur.”

Qëndrimi i Ramës u komentua edhe nga kryetari i LSI -së dhe numri 2 i qeverisë, Ilir Meta, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, gjatë një konference për shtyp.

Ilir Meta: “Kjo do të thotë që ai i shmanget përgjithmonë debatit.”

Në fakt, Rama i është shmangur debatit publik me kreun e mazhorancës edhe para se të kërkonte hapjen e kutive, në kohën e fushatës elektorale.

Po kështu, debate të tilla ai i ka shmangur edhe me rivale të tjerë në gara elektorale për kreun e bashkisë së Tiranës, Ngjelën, Olldashin, por edhe Fatos Lubonjën, periudha në të cilat betejat e kutive nuk ekzistonin./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka