Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës ndaj Partizanit, e planifikuar për tu luajtur ditën e shtunë.
Tekniku kuqeblu, deklaroi se në ekipin e tij ka shumë optimizëm, por theksoi se të gjithë lojtarët duhet të bëjnë maksimumin.
“Ka shumë optimizëm në ekip. Na duhet kjo ndeshje në shtëpinë tonë, tifozët dhe një sfidë sa më e mirë ndaj Partizanit në “Loro Boriçi”. Duhet një performancë maksimale nga të gjithë lojtarët që do të jenë të gatshëm. Lojtarët që janë rikthyer kanë zhvilluar stërvitje gjatë javës, pasi në javën e kaluar nuk e kemi pasur ekipin e plotë. Këtë javë duket më mirë. Energjinë e kemi aty. Kemi edhe 24 orë kohë për të përgatitur në maksimum këtë duel.”
Brdaric zbuloi se për këtë takim, është rikuperuar edhe sulmuesi kryesor, Bekim Balaj.
“Stojanovic dhe Gurishta duken shumë mirë. Gjithashtu edhe Bekimi ka punuar shumë për t’u rikuperuar. Lajm i mirë është rikthimi i Balajt dhe unë e falënderoj shumë për atë që ka bërë për të qenë i gatshëm në kohë rekord për nesër.”, u shpreh trajneri i shkodranëve.
Ndeshja Vllaznia-Partizani, do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, të shtunën në orën 19:30. /tvklan.al