Shtetet e Bashkuara njoftojnë një ndihmë tjetër zhvillimi për Shqipërinë, në shumën 5.5 milionë dollarë, për ngritjen e Akademisë Amerikano-Shqiptare të Transparencës (USATA).

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në vendin tonë thuhet se “kjo Akademi do të rrisë transparencën dhe integritetin e qeverisë dhe të institucioneve publike e private, si dhe do të mbështesë reformën në drejtësi”.

“Akademia do të ndihmojë gjithashtu qeverinë e Shqipërisë të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti, si dhe fondet e tjera publike, në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme që do të jetë në dobi të atyre që kanë më shumë nevojë. Kjo ndihmë është pjesë e kontributit mbi 700 milionë dollarë të Shteteve te Bashkuara për Shqipërinë në 20 vitet e fundit”, njofton Ambasada Amerikane./tvklan.al