Shtetet e Bashkuara kanë marrë informacione që ka 8,000 trupa të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë. Kështu ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara Robert Wood
“Unë kam një pyetje për kolegun tim rus: A pohon Rusia ende se nuk ka trupa të Koresë së Veriut. Paralajmërojmë Rusinë që të mos bëjë një lëvizje kaq të rrezikshme. Pjesëmarrja trupave të Koresë së Veriut do të ishte një zgjerim alarmues i konfliktit.”
Moska as nuk e ka mohuar dhe as ka konfirmuar drejtpërdrejt praninë e trupave të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut që atëherë ka mbrojtur idenë e vendosjes së trupave si në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Gjithashtu edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se ata do të bëhen objektiva legjitime ushtarake nëse hyjnë në fushën e betejës.
“Informacioni më i fundit tregon se rreth 8,000 nga ato forca të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut. Ne prisim që kjo të ndodhë në ditët në vijim. Tani, një nga arsyet që Rusia po i merr trupa të Koresë së Veriut tregon se është e dëshpëruar dhe kjo është një shenjë e qartë dobësie.”
Nga ana tjetër Presidenti Volodymyr Zelenskiy kritikoi atë që ai e quajti përgjigjen “zero” të aleatëve të tij ndaj vendosjes së trupave të Koresë së Veriut. “Putini po kontrollon reagimin e Perëndimit… Dhe unë besoj se pas gjithë këtyre reagimeve, ai do të vendosë dhe do të rrisë kontigjentin… Reagimi që është nga të tjerët atje sot nuk është asgjë, është zero”, tha Zelenskiy.
Dislokimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi ka rritur shqetësimet për destabilizimin e mëtejmë të rajonit të Azi-Paqësorit dhe të luftës së Moskës kundër Ukrainës dhe për këtë arsye Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin tha se SHBA do të shpallë ndihmë të re sigurie për Ukrainën në ditët në vijim.
Klan News