Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, i drejtoi sot disa pyetje kandidatëve për kryetar bashkie që garojnë në zgjedhjet pjesshme të 6 Marsit. Pa e cilësuar për cilët kandidatë po i adreson konkretisht këto pyetje, Kim shkroi në Tëitter se çfarë duhet të presin shqiptarët nga kandidatë që mbështeten nga persona të shpallur “non grata” nga SHBA.
“Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkruante Kim.
Për këtë postim të ambasadores amerikane reagoi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike duke e quajtur një ndërhyrje në fushatë në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit.
“Ajo, ‘de facto’, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë. Komisioni i konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europës. Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, thuhej në deklaratë.
Ndër të tjera Komisioni i Rithemelimit thekson se deklarata e ambasadores bie në kundërshtim të plotë edhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, në të cilën edhe Shqipëria është palë.
Tv Klan