Në takimin e mbajtur në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, ndërkombëtarët e cilësojnë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të pakthyeshme. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbingarkesa me dosje dhe ndërhyrjet politike janë problemet me të cilat po haset sistemi i drejtësisë.
David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Shqipëri: Ju përballeni me sfida të konsiderueshme, si vendet vakante, numri i çështjeve të parapambetura, ka ende nevojë të zhvillohet veting, zhvillimi i standardeve për institucionet që janë ende të reja, ka presion politik.
Në takimin e përbashkët të zhvilluar mes dy Këshillave, të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor, mbështetje për reformën dhe sistemin dha edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Silvio Gonzato, ambasador i BE në Shqipëri: Reforma në Drejtësi duhet të forcohet, duhet konsoliduar dhe duhet çuar përpara për të pasur më shumë rezultate. Këto rezultate t’u shërbejnë qytetarëve. Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, foli mbi rëndësinë e mbështjes së SPAK dhe institucioneve të reja.
Bajram Begaj, President i Republikës: Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën dhe kurajon të triumfojë. Për herë të pare, kultura e pandëshmueshmërisë është goditur thellë. E rëndësishme është ripërtëritja e trupës me gjyqtarë dhe prokurorë që sistemi të jetë imun.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se qeveria është në mbështetje të sistemit të drejtësisë, duke kërkuar uljen e numrin të dosjeve të mbetur stok.
Mbledhja e dy Këshillave, ai i Prokurorisë dhe Gjyqësor, si organet qëverisëse të sistemit të drejtësisë është një detyrim ligjor që zhvillohet çdo vit.
Tv Klan