Mijëra banorë të Gazës u larguan nga Beit Lahia dhe u zhvendosën në qytetin e Gazës ndërsa forcat izraelite intensifikuan rrethimin e pjesës veriore të enklavës palestineze. Ushtria po mban rrethuar spitalet dhe vendstrehimet e refugjatëve. Gjithashtu ka lëshuar urdhëra shpërnguljeje me qëllim që banorët të zhvendosen në jug.
“Ika nga bombardimet intensive, trupat e të vdekurve janë ende të shpërndarë gjithandej. Nuk dimë ku të shkojmë, me të vërtetë nuk e dimë se në çfarë gjendje kemi arritur. Betohem në Zot, po kalojmë situata dhe ditët më të vështira.”
Turma palestinezësh u mblodhën pranë një furre buke në Khan Younis në përpjekje për të marrë bukë. Mijëra familje thonë se duhet të presin me orë të tëra dhe nganjëherë largohen edhe duarbosh.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë UNRËA tha se një nga anëtarët e stafit u vra kur një automjet i UNRËA-s u godit në Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Gazës.
Në këtë gjendje katastrofike humanitare të shkaktuar nga Izraeli, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken theksoi edhe një herë ‘mundësi reale’ që janë krijuar për të liruar pengjet dhe përfundimin e luftës. Ai foli para se të largohej nga Tel Avivi.
“Izraeli ka arritur një sukses strategjik. Kanë mbetur dy gjëra për të bërë, lirimi i pengjeve dhe dhënia fund luftës, por duke pasur një vizion të qartë se çfarë duhet të ndodhë më pas.”
Më pas ai shkoi në Riad, ku u takua me princin e kurorës Mohammed Bin Salman.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike ofensiva ushtarake izraelite vijon në Gazë dhe në Liban. Izraeli ka intensifikuar sulmet në pjesën veriore të territorit.
Izraeli kreu të paktën katër sulme ajrore në qytetin historik portual libanez të Tirit. Pamjet që dolën pas sulmit shfaqën re të mëdha tymi të zi që ngriheshin disa qindra metra nga rrënojat romake, Trashëgimi Botërore e UNESCO-s. Ushtria izraelite më herët paralajmëroi civilët të largoheshin, duke thënë se do të vepronte “me forcë” kundër grupit Hezbollah atje.
Gjatë natës, media libaneze raportoi se avionët izraelitë kryen sulme të shumta në periferitë jugore të Bejrutit, në Libanin Jugor dhe Luginën Bekaa, të gjitha zonat ku Hezbollahu ka prani të fortë.
Ushtria izraelite tha se sulmet në Bejrut kishin në shënjestër objektet e magazinimit dhe prodhimit të armëve, si dhe qendrat e komandës që i përkisnin Hezbollahut.
Ushtria tha gjithashtu se kishte vrarë komandantët e Hezbollahut për për zonat jugore. Vetë militantët u kundërpërgjigjën duke lëshuar breshëri raketash në Izrael, një prej tyre ndaj bazën së zbulimit Gilot në Tel Aviv.
Klan News