Edhe Rusia dhe Turqia u kanë bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga përshkallëzimi i konfliktit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershme të përleshjeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Blinken bëri një deklaratë me shkrim pasi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se pas provokimeve të Armenisë nisën përleshjet në kufirin midis dy vendeve.
“SHBA-ja është thellësisht e shqetësuar nga lajmet e konfliktit në kufirin Armeni-Azerbajxhan, përfshirë sulmet e raportuara ndaj vendbanimeve dhe infrastrukturës civile në Armeni. Siç e kemi bërë të qartë prej kohësh, nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne bëjmë thirrje për përfundim të menjëhershëm të të gjitha konflikteve ushtarake”, është shprehurAntony Blinken.
Por SHBA-ja nuk ka qenë e vetmja që ka bërë thirrje për uljen e tensioneve mes dy vendeve pasi Rusia u ka kërkuar të dyja vendeve të respektojnë një marrëveshje armëpushimi, duke shprehur shqetësimin e thellë për ripërtëritjen e luftimeve midis dy vendeve.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se kishte ndërmjetësuar një armëpushim në orët e para të mëngjesit dhe priste që të dyja palët të përmbushnin kushtet e marrëveshjes.
“Ne u bëjmë thirrje palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës, të ushtrojnë përmbajtje dhe të respektojnë rreptësishtë armëpushimin”.-thuhet në një deklaratë të lëshuar nga ministria e jashtme ruse.
Edhe Turqia ka reaguar përmes ministrit të saj të jashtëm Mevlut Cavusoglu .Ai u shpreh se kishte diskutuar me homologun e tij azerbajxhanas për “provokimet armene” në kufiri dhe i bëri thirrje Armenisë që të fokusohet në negociatat e paqes.
Klan News