Presidenti Trump anulon vizitën ne Poloni
Jug-lindja e Shteteve të Bashkuara është në emergjencë të plotë, në pritje të goditjes së uraganit Dorian këtë fundjavë. Sipas ekspertëve, stuhia pritet të jetë edhe më e fuqishme se uragani Endruj, që në vitin 1992 shkaktoi 65 viktima dhe dëme materiale rreth 30 miliardë dollarë.
Në Florida, qytetarët janë udhëzuar të grumbullojnë sa më shumë rezerva ushqimore dhe karburant. Disa prej tyre kanë nisur të mbushin thasët me rërë, për të forcuar banesat.
Dorian pritet të godasë fillimisht si një uragan i kategorisë 4, por gjasat që të arrijë nivelin maksimal, atë numër 5, janë të mëdha. Presidenti Donald Trump anuloi vizitën në Poloni, për të qëndruar në krye të situatës emergjente.
“Kam vendosur të dërgoj zv/Presidentin tonë Mike Pence në Poloni, në vendin tim. Është shumë e rëndësishme për mua të jem këtu. Prioriteti ynë kryesor është siguria e njerëzve. Kjo stuhi mesa duket mund të jetë vërtetë e madhe.”
Uragani Dorian goditi të enjten Puerto Rikon dhe ishujt Virgin dhe Shën Martin në Karaibe, duke shkaktuar fatmirësisht vetëm dëme materiale.
Tv Klan