“Njohim Altin Dumanin si kampionin kundër korrupsionit…”

Për drejtimin me integritet, kurajo dhe profesionalizëm, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi me çmimin e kampionit kundër korrupsionit, kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai ishte në mesin e 10 zyrtarëve, përfaqësues të shoqërisë civile apo edhe gazetarë nga vende të tjera të botës të vlerësuar nga SHBA.

Çmimi iu dorëzua në këtë ceremoni nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e konsideroi SPAK si institucionin më të besueshëm në Shqipëri.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri, Altin Dumani, drejton një strukturë të re kombëtare, e krijuar si rezultat i Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Ajo ushtron ndjekje penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe krerëve të grupeve kriminale. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, tha Blinken. 

Altin Dumani drejton Prokurorinë e Posaçme, SPAK, që prej dhjetorit 2022 dhe i ka mbetur në krye të kësaj strukture edhe 1 vit nga mandati 3-vjeçar.

Hetimet e finalizuara në fazën paraprake të tyre me masa sigurimi, treguan se goditjet më të rëndësishme kundër korrupsionit në nivele të larta, por edhe krimit të organizuar, u kryen gjatë drejtimit të tij.

Kreu i SPAK është zyrtari i dytë i lartë në Shqipëri që nderohet me një çmim të tillë nga SHBA. I pari që u nderua me këtë çmim ishte Ardian Dvorani, në atë kohë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Tv Klan