Vizita e paparalajmëruar e shefit të CIA-s, William Burns, ka vazhduar edhe të premten ku në orët e hershme të mëngjesit ai është takuar me Kryeministrin Albin Kurti.
Takimi që ka zgjatur rreth një orë ka shënuar edhe përmbylljen e vizitës së tij dyditëshe në Kosovë.
Kryeministri nëpërmjet një komunikate për media vlerësoi se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet Kosovë – SHBA.
Sipas tij u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.
“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lart nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë. Vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë. Të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik”.
Më tutje në komunikatë thuhet se Kurti ka biseduar më shefin e CIA-s edhe për zhvillimin ekonomik. Burns qëndroi në Prishtinë nga e enjtja pasdite ku fillimisht kishte takuar Presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Petrit Ajetin.
Në një status të cilin e ka publikuar residentja të premten në rrjetin social Facebook ajo shkruan se aleanca me SHBA-në është garanci për siguri.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) William Burns”.
Paraprakisht ai qëndroi në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, në kohën kur Republika Serbe po kërcënon me shkëputje nga Federata.
Ndërsa në Kosovë ai erdhi në kohën kur ka përplasje ndërmjet qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar posaqërisht Shteteve të Bashkuara rreth qëndrimit të qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër që ndan veriun e banuar me serb dhe jugun e Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare.
SHBA-ja e konsideron këtë veprim të papërshtatshëm në këtë kohë pasi sipas tyre mund të nxis tensione dhe të rrezikojë ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Tv Klan