Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ministri i Rendit Igli Toska ka lëshuar skupin e radhës për gazetarët e kronikës së zezë. Krimi i organizuar është shtrirë në media dhe politikë dhe kjo ka vështirësuar punën e policisë ka thënë kreu i institucionit që lufton krimin. Kjo është deklarata që ka hedhur ministri dhe media dhe nëpërmjet saj dhe opinioni, le të debatojnë, të hamendësojnë këtë të duan.
Në fakt nuk është hera e parë që në rrjedhën e opinionit publik, ministrat e rendit e hedhin këtë gurë. Këtë gjë madje me fjali të njëjtë, e kanë deklaruar edhe paraardhësit e Toskës kur kanë qenë në situata të ndryshme. Disa e kanë thënë kur kanë qenë në prag të largimit nga ajo ministri e disa kur sapo e kanë lënë atë karrige.
Mos ndoshta dhe Toska gjendet në ato rrethana në kuadër të angazhimit të socialistëve për ndryshimet në qeveri, sepse nuk ka se si të shpjegohet që njeriu të paguhet edhe përgjigjet për të gjurmuar, zbuluar dhe ndëshkuar krimin dhe lëshon një deklaratë kaq të papërgjegjshme, të përgjithshme, tymuese dhe asgjë konkrete.
Igli Toska nuk është drejtor i ndonjë Organizate Jo Qeveritare, që artikulon këtë deklaratë për të justifikuar projektet, ai i ka të gjitha atributet dhe strukturat për t’i konkretizuar akuzat dhe për t’i çuar ata media dhe ata politikanë të lidhur me krimin në organin e akuzës që është prokuroria. Pa bërë avokatin e organizatave mediatike, si mundet një ministër të hedhë baltë në të gjithë median shqiptare. Ministri nuk duhet të deklarojë deduksione të tija, apo më keq akoma të vartësve të tij, por të tregojë fakte dhe të dhëna, nëse është i angazhuar seriozisht për luftën ndaj krimit./tvklan.al
Gazetare: Mimoza Koçiu