Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Drejtori i policisë së Prefekturës së Elbasanit, Edmond Koseni, qëllon me grusht drejtorin e drejotrisë së kufirit Pjerin Ndreu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot në mesditë, para godinës së Ministrisë së Rendit Publik. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë ministrit Poçi dhe dëshmitarë okular të ngjarjes. Gjithçka ka nisur menjëherë pas një analize në dikaster, për luftën kundër trafikut klandestinë.

Dy oficerët e lartë të policisë, kanë nisur një grindje me fjalë mes tyre në korridor. Pasi janë ndarë për momentin, Ndreu është ulur në një nga baret para Ministrisë së Rendit. Aty ka shkuar pas pak edhe Koseni, ku pasi e ka thirrur drejtorin e kufirit, ka nisur edhe njëherë debati. Tonet mes tyre janë rritur aq sa Koseni ka goditur me grusht mbi Ndreun. Shkaqet e kësaj grindje ende nuk dihen.

Nga ministria ende nuk ka asnjë reagim për ngjarjen dhe nuk është marrë asnjë masë. Zyrtarë të ministrisë, e kanë quajtur këtë grindje si të papërgjegjshme dhe të pahijshme për figurën e policit, aq më tepër kur kjo ka ndodhur mes dy drejtorësh./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora