Në takimin me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës për vlerësimin e kontributit të tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit, Kryeministri Rama është shprehur se sot pensionistët trajtohen si të nënës, ndërsa më përpara se ta merrnin ata qeverisjen, trajtoheshin të njerkës.

Ndërkohë, lidhur me deklaratën e kryedemokratit Sali Berisha që “nëse PD vjen në pushtet do rriten pensionet dhe do rimbursojnë 100% produkteve të shportës për pensionistët”, Kryeministri Rama ka thënë se “sheshin qilima fluturues si të Sudes”.

Edi Rama: E veçuam këtë takim me ju sepse ju jeni një kategori e shërbëtorëve të këtij shteti që meritoni një vlerësim të veçantë. Kur numëron 227 dëshmorë në uniformat blu, gati nuk të besohet që ky është një numër që korrespondon me periudhën e demokracisë. Deri pak më shumë se një dekadë më parë, trupa e policisë, humbnin jetën si diçka që ishte pjesë e punës. Nuk e harroj kohën kur asokohe në opozitë, ne shkonim tek shtëpia e Shqupit, tek godina e ish-shtëpisë së ushtarakëve për të bërë homazhe. Kjo e bën edhe më të madhe detyrën tonë për të qenë mirënjohës ndaj të gjithëve ju dhe të gjithë gjeneratës tuaj që shërbyen në kushte shumë të vështira.

Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti. Këta që e vuajnë këtë pasojë dhe janë viktima të gjalla të politikës qorre dhe të papërgjegjshmërisë së atyre që sot e gjithë ditën ju thonë “ne do ju bëjmë pensionet 500 Euro, ne do jua bëjmë pensionet 1 mijë Euro” shesin qilima fluturues si qilimat e Sudes dhe të Rrapushit dhe këtu është edhe dallimi. Në fund të ditës, pensionistët që nga viti 2014 e deri më sot, janë trajtuar si të nënës. Ndërkohë që përpara janë trajtuar si të njerkës. Ky është dallimi, shumë i dhimbshëm, por shumë i vërtetë. Ne po bëjmë çmos të rrisim mbështetje për Policinë e Shtetit, të rrisim pagat e kështu me radhë. Të gjitha ato arritje të Policisë së Shtetit që mund t’i numërojmë me krenari nuk do të kishin ndodhur pa ju të gjithë. Në çdo hap do të bëjmë më të mirën dhe do të veprojmë për të sjellë më shumë në familjet tuaja.

/tvklan.al