Për të lehtësuar barrën financiare të pensionistëve dhe familjeve në vështirësi ekonomike, Partia Demokratike premton se pas ardhjes në pushtet do të rimbursojë 100% TVSH-në për produktet bazë të shportës.

“Nuk ka nevojë për bonuse dhe mëshirë pensionisti. 780 mijë pensionistë, të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, TVSH-ja e produkteve bazë t’u rimbursohet 100 përqind”, tha Berisha.

Krahas llogaritjes së pensioneve mbi minimumin jetik 200 Euro dhe vendosjes së pagës minimale 500 Euro, Berisha tha se po punohet edhe për një tjetër skemë, atë të çmimit proporcional të energjisë dhe ujit për kategoritë në nevojë.

“Ne konsiderojmë varfërinë armikun absolut numër 1 të shqiptarëve dhe ne do përballemi me të në mënyrën më të vendosur. Kjo është paketa e tretë, të cilën unë do e paraqes sapo specialistët të kenë bërë të gjitha përllogaritjet ndaj kësaj shtrese”, tha Berisha.

Teksa paralajmëroi rritje të çmimit të kafesë, Berisha foli sërish me shqetësim edhe për sektorin e ndërtimit.

“Po bëhej gati të rritej dhe kafeja.  Urdhëro çmimet e apartamenteve, nuk i prek kush dot. Këtu çmimet janë më të shtrenjta se në Bruksel. Droga, droga dhe vetëm droga. Paraja e tyre është toksike, ata krijuan narkoeuron. Për të gjitha këto do të kenë përgjegjësi ligjore”, tha Berisha.

Premtoi zero tolerancë ndaj bandave e krimit, ndërsa iu rikthye akuzave ndaj Kryeministrit për lidhje me trafikantë nga Dubai.

“Unë do ta pyes këtu para jush, Edi Ramës. Në Aruba çfarë u diskutua dhe kë takove në Aruba. Nëse jo, thuaju shqiptarëve që nuk ke qenë, thuaju shkove me avionin me ‘Ismailin’, apo me ndonjë çarter tjetër”, tha Berisha.

Pavarësisht propozimit të mazhorancës për ta shtyrë deri në Dhjetor të vitit 2026 ligjin për investimet strategjike, Berisha tha se pas ardhjes së PD-së në pushtet të gjitha këto investime do te anulohen.

Tv Klan