Presidenti Ilir Meta shifrat e sotme të infektimeve me Covid i quan alarmante dhe shton se pandemia ka dalë jashtë kontrollit. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se kapacitetet rezultojnë të tejmbushura dhe akuzon qeverinë se përveç propagandës nuk ka asnjë plan.
“Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër. Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.
Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë”, shkruan kreu i shtetit.
Më tej ai i bën thirrje qeverisë “të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit”.
Meta shkruan se çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit.
“Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19 .Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës”, vijon reagimin e tij Presidenti.
Në fund ka dhe një mesazh për qytetarët që tymos neglizhojnë rregullat e Covid./tvklan.al